Në një intervistë për emisionin “Rretheqark” në A2 CNN me Xhevahir Qardakun, ambasadori i Palestinës në Shqipëri, Sami Mhanna, reagoi ndaj deklaratës së ambasadores së Izraelit në Tiranë, e cila kishte thënë se Rripi i Gazës do të rindërtohet dhe do të duket si Singapori.
“Të vetmit njerëz që vendosin se si do të jetë Gaza janë palestinezët. Gaza është qyteti ynë dhe ne jemi përgjegjës për rindërtimin e tij. Askush tjetër nuk mund të vendosë për të,” tha Mhanna.
Ai theksoi se veprimet izraelite kanë shkatërruar 85% të një prej qyteteve më të bukura të Palestinës, duke e kthyer atë në një “qytet fantazmë”. Sipas tij, viktimat kryesore të ofensivës nuk janë luftëtarët e Hamasit, por fëmijët palestinezë.
Ambasadori shtoi se Gaza do të rindërtohet nën udhëheqjen e presidentit palestinez Mahmoud Abbas, ndërsa u distancua nga sulmet e 7 tetorit. “Jam kundër vrasjes së civilëve. Ajo që ndodhi ishte një kurth i keq në të cilin ra Hamasi, dhe Izraeli e përdori si justifikim për spastrimin etnik të popullit tonë në Gaza,” u shpreh Mhanna. (A2 Televizion)