Ushtria izraelite pretendon të ketë gjetur pranë spitalit Al-Shifa trupin e Yehudit Weiss, e cila u rrëmbye nga kibuci i Be'erit më 7 tetor.
Trupi u gjet nga ajo që ushtria e quajti "strukturë" pranë objektit mjekësor.
Në deklaratë, nuk jepeshin detaje për mënyrën sesi Weiss ka ndërruar jetë dhe nuk është e qartë se në çfarë gjendje ishte struktura kur ushtarët gjetën trupin. Nuk janë dhënë po ashtu detaje se kur besohet që të ketë vdekur gruaja.
Forumi i familjeve të pengjeve dhe personave të zhdukur tha se Weiss ishte një gjyshe 65-vjeçare. Burri i saj, Shmuel, u vra në sulmin e Hamasit më 7 tetor.
Weiss është kthyer në territorin izraelit, shtoi ushtria, dhe familja është në dijeni. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se Weiss u vra nga Hamasi, pa dhënë detaje mbi shkakun e vdekjes. (A2 Televizion)