
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur një tarifë të re globale prej 10% për të zëvendësuar ato të rrëzuara nga Gjykata Supreme, duke e quajtur vendimin "të tmerrshëm" dhe duke i kritikuar ashpër gjyqtarët që hodhën poshtë politikën e tij tregtare.
Presidenti e zbuloi planin menjëherë pasi gjyqtarët nxorën jashtë ligjit shumicën e tarifave globale që Shtëpia e Bardhë njoftoi vitin e kaluar. Me një vendim 6-3, gjykata vendosi që presidenti kishte tejkaluar kompetencat e tij.
Vendimi ishte një fitore e madhe për bizneset dhe shtetet amerikane që kishin sfiduar detyrimet, duke hapur derën për miliarda dollarë rimbursime tarifore, ndërkohë që gjithashtu nxiti pasiguri të reja në peizazhin global të tregtisë.
"Anëtarët e Gjykatës Supreme që votuan kundër tarifave tona, duhet të turpërohen. Vendimi i tyre ishte qesharak, por tani që fillon procesi i përshtatjes, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të marrë më shumë para se më parë", shkroi Trump në Truth.
Tarifat globale prej 10% të vendosura nga Donald Trump do të hyjnë në fuqi në mesnatën e 24 shkurtit dhe do të mbeten në fuqi për 150 ditë. Tarifat nuk do të zbatohen për një gamë të gjerë produktesh, duke përfshirë mineralet thelbësore dhe mallrat që tashmë i nënshtrohen tarifave të veçanta të paprekura nga vendimi i Gjykatës së Lartë.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë të premten, Trump la të kuptohej se rimbursimet nuk do të vinin pa një betejë ligjore, duke thënë se priste që çështja të ngecej në gjykatë për vite me radhë.
Ai tha gjithashtu se do t'i drejtohej ligjeve të tjera për të ecur përpara me tarifat e tij, të cilat sipas tij inkurajojnë investimet dhe prodhimin në SHBA. (A2 Televizion)