
Përpjekja për të vrarë një ish-spiun rus në Salisbury të Britanisë së Madhe në vitin 2018, duke përdorur një agjent vdekjeprurës nervor, është autorizuar nga Vladimir Putini, i cili është moralisht përgjegjës për vdekjen e saj. Kështu ka konstatuar një hetim publik nga autoritetet britanike.
Në raportin 174 faqësh përgatitur nga ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Lord Hughes, i cili sapo është publikuar thuhet se autoritetet kishin “dështuar” në menaxhimin e 74 vjeçarit Sergei Skripal.
Ish-pjesëtari i inteligjencës ushtarake ruse, GRU, erdhi në Mbretërinë e Bashkuar në një shkëmbim të burgosurish pasi ishte dënuar për spiunazh për Britaninë. Një hetim shtatë javor, me kosto mbi 8 milionë paund, ka gjetur se sulmi me Novichok më 4 mars 2018 ndaj tij dhe të bijës mund të ishte shmangur vetëm duke e fshehur atë me një identitet krejtësisht të ri.

Skripal dhe vajza e tij 41-vjeçare Yulia, të cilët u helmuan gjithashtu, mbetën të sëmurë rëndë nga sulmi me Novichok, së bashku me oficerin e atëhershëm të policisë, Nick Bailey, i cili ishte dërguar për të kontrolluar shtëpinë e tyre.
Të gjithë ata mbijetuan, por Dawn Sturgess, e cila pa dijeninë e saj spërkati veten me Novichok që i ishte dhënë nga partneri i saj, Charlie Rowley, në një shishe parfumesh më 30 qershor 2018 ndërroi jetë.
Rowley, i cili u sëmurë rëndë por mbijetoi tha se e kishte gjetur shishen në rrugë. Lord Hughes tha se Sturgess mori kujdes mjekësor “plotësisht të përshtatshëm”, por gjendja e saj ishte “e pamundur për të mbijetuar” që në një fazë shumë të hershme. (A2 Televizion)