Ish-deputeti socialist, Artan Gaçi, mbërriti të enjten në SPAK për të dhënë deklarime në kuadër të një hetimi të nisur ndaj tij. Bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka u shoqërua nga një avokat, ndërsa qëndroi në godinë për rreth 15 minuta.
Pas daljes nga SPAK, Gaçi nuk dha asnjë koment për gazetarët, ndërsa avokati i tij, Gurali Brahimllari, tha se klienti i tij ishte paraqitur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.
Gaçi nuk ka dhënë shpjegime, pasi ka kërkuar që më herët të njihet me aktet hetimore dhe akuzën për të cilën po hetohet.
“Kërkuam të njihemi me aktet”, tha avokati, i cili nuk saktësoi se për çfarë veprash penale po hetohet klienti i tij.
Burime jozyrtare pranë SPAK bëjnë me dije se hetimi në fjalë është regjistruar për veprat penale të “pastrimit të parave” dhe “korrupsionit”. (A2 Televizion)