Greta Gjoci, 33-vjeçarja që u dërgua në burgun e Pojskës në Pogradec dy ditë më parë, së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe, u kthye në liri për të paktën një vit.
Ndonëse ajo detyrohet të vuajë një dënim me burg, Gjykata e Posaçme pranoi të enjten kërkesën e saj për shtyrjen e kohës së vuajtjes së dënimit, duke vendosur pezullimin e ekzekutimit të tij.
Gjoci u shoqërua nga Pojska në GJKKO me një autoambulancë, për shkak se kishte edhe foshnjën me vete. Ajo u shkëput prej saj vetëm gjatë seancës, kur foshnjën e mbajti një punonjëse e sigurisë.
Nga kafazi i xhamtë i sallës së gjyqit, e reja pretendoi se gjatë dy ditëve në qeli, foshnja kishte shfaqur probleme dhe nuk kishte ngrënë.
Dakordësinë për shtyrjen e vuajtjes së dënimit e dha edhe prokurori Ened Nakuçi.
Për të mundësuar zhvillimin e seancës, avokati i 33-vjeçares theu bojkotin më shumë se njëmujor të avokatëve në GJKKO, duke rrezikuar procedim disiplinor dhe heqjen e licencës. Por avokati pretendoi se kishte vënë në dijeni Dhomën e Avokatisë, për shkak të specifikës dhe natyrës humanitare të rastit.
Dërgimi në qeli i një nëne të një foshnjeje që ushqehej me gji ngjalli të mërkurën edhe interesin e Avokatit të Popullit, i cili dërgoi një grup pune për monitorimin e situatës.
Greta Gjoci u prangos në zbatim të një vendimi të Apelit të Posaçëm, që la në fuqi dënimin me 6 vjet e 8 muaj burg ndaj saj, si pjesë e një grupi kriminal të akuzuar për mashtrim përmes call-center-ave. Nga ky dënim, asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vjet e 5 muaj. (A2 Televizion)