Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me debatin për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se nisma nuk po prodhon efektin juridik që, sipas tij, u ishte premtuar qytetarëve.
“Ende pa u mbushur 48 orë, qenkan habitur që ligji nuk prodhon efektin juridik që ju premtuan. Që e gjithë kjo nismë dhe ide ishte veç një mashtrim me emocionet e një populli të lënduar”, shkroi Abdixhiku.
Ai kritikoi edhe mënyrën se si është trajtuar LDK-ja gjatë debatit për këtë nismë.
“Do ta kishit kuptuar me kohë, sikur në vend të vërsuljes ndaj LDK-së dhe shpalljes së saj si kundërshtare të UÇK-së, të dëgjonit çfarë po thonim”, u shpreh ai.
Abdixhiku rikujtoi qëndrimin zyrtar të LDK-së të 5 tetorit, ku partia kishte argumentuar se ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk mund të shfuqizojë detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Kosovës.
“Nuk mund t’u premtojmë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo ta zëvendësojë betejën juridike”, thuhej në qëndrimin e LDK-së. (A2 Televizion)