Hezbollahu synimi i radhës?! Netanyahu: Jemi gati për aksion në veri

Nga Erjon Dervishi
5 Qershor 2024, 11:39 | Bota

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e udhëhequr nga republikanët, ka miratuar legjislacionin i cili vendos sanksione kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale lidhur me vendimin e prokurorit të kësaj gjykate, për urdhërarrestin e zyrtarëve izraelitë, mes tyre dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu, në lidhje me luftën në Gaza.

Me 247 vota pro dhe 155 kundër, vendimi nuk pritet të kthehet në ligj, por shërben për të pasqyruar mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Izraelin. Po ashtu, projektligji nuk pritet të dërgohet për votim në Senat, i cili kontrollohet nga kolegët demokratë të Joe Biden. Legjislacioni parashikon vendosjen e sanksioneve ndaj personave të përfshirë në ndjekjet penale të Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj amerikanëve ose qytetarëve të aleatëve të SHBA-së që nuk janë anëtarë të kësaj gjykate, përfshirë Izraelin. Ai gjithashtu do të bllokojë hyrjen e zyrtarëve të kësaj gjykate në Shtetet e Bashkuara, revokon vizat për në SHBA dhe i kufizon ata nga transaksionet e biznesit në SHBA.

Sakaq, Izraeli po përballet në kufirin e tij verior me një stuhi tjetër lufte. Këtë herë, përballë ka Hezbollahun. Benjamin Netanyahu, gjatë vizitës në kufirin verior me Libanin, tha se Izraeli është gati për veprime të forta në veri. 

“Kushdo që mendon se mund të na dëmtojë dhe se ne thjesht do të qëndrojmë dhe do të shikojmë, po bën një gabim të madh. Ne jemi të përgatitur për aksion shumë të fortë në veri. Në një mënyrë apo tjetër do të rivendosim sigurinë në veri", deklaroi Netanyahu.

Qytetet izraelite pranë kufirit, shumë prej të cilave janë evakuar, kanë qenë objektiva të shpeshta të sulmeve me raketa dhe dron nga grupi militant libanez Hezbollah. Raketat kanë shkaktuar zjarre të mëdha, duke djegur një pjesë të tokës në Izraelin verior. E tensionuar është situata edhe në Liban, aty ku katër persona u përpoqën të sulmonin Ambasadën Amerikane në Liban, e cila ndodhet në periferi të Bejrutit. Kështu ka thënë një zyrtar libanez i sigurisë për “Associated Press”. Nga 3 personat që qëlluan, një u vra, një u arratis dhe i treti u plagos dhe u arrestua nga ushtria libaneze. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos