Forcat ukrainase goditën një tubacion të rëndësishëm karburanti në rajonin e Moskës që furnizon ushtrinë ruse.
Lajmin e dha inteligjenca ushtarake në Kiev, teksa Moska vijon fushatën masive me dronë dhe raketa kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë, shkruan A2.
Siç raportohet, operacioni u zhvillua në orët e vona të së premtes, me agjencinë që e përshkroi si një goditje serioze ndaj logjistikës ushtarake të Rusisë. Tubacioni Koltsevoy që shtrihet përgjatë 400 km dhe furnizon ushtrinë me karburant nga rafineritë në Ryazan, Nizhny Novgorod dhe Moskë.
“Sulmet tona shkaktuan më shumë impakt se sanksionet”, tha Kyrylo Budanov, kreu i agjencsë së inteligjencës ushtarake, duke ju referuar sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes në Rusi deklaroi se trupat e veta kishin mundur një ekip forcash speciale të Ukrainës që po i drejtoheshin frontit të nxehtë lindor në Pokrovsk në përpjekjen për të ndalur trupat ruse të avanconin më tej në qytetin strategjik.
Vetëm pak më herët, burime ushtarake të Kievit bënë më dije se forcat speciale ishin dislokuar në zonë, më herët gjatë javës për të mbrojtur qytetin. Rusia dhe Ukraina po japin informacione kontradiktore mbi atë që po ndodh në Pokrovsk, një bastion kyç ukrainas në rajonin e Donjetskut.
Presidenti rus pretendon se forcat e tij i kanë rrethuar mbrojtësit ukrainas të qytetit, por, sipas Kievit, situata atje mbetet ende nën kontroll edhe pse e vështirë.
Ndërkohë, të paktën 1 person humbi jetën dhe mbi 15 të tjerë u plagosën në jug të Ukrainës pasi Rusia lëshoi një raketë balistike. Siç raportohet, Moska lëshoi 223 dronë gjatë natës, deri në orët e para të së shtunës, 206 prej të cilave u rrëzuan. (A2 Televizion)
