
Kirill Dmitriev nuk është diplomati tipik rus. 50-vjeçari, i rritur në Ukrainë, i shkolluar në SHBA dhe me karrierë në financë, është shfaqur befas në qendër të diplomacisë së epokës Trump. Si kreu i Fondit Rus të Investimeve Direkte dhe partner i rregullt i të dërguarit amerikan Steve Witkoff, ai po luan rol kyç në përpjekjet e fundit për një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Dmitriev kaloi tre ditë me Witkoff në Miami, dhe menjëherë pas kësaj doli në dritë një draft-marrëveshje që duket si “lista e dëshirave” e Putinit, shkruan A2 CNN. Dmitriev dhe Witkoff, të cilët bashkëpunuan edhe në lirimin e një mësuesi amerikan nga burgu rus më herët këtë vit, duket se kanë krijuar një raport të fortë diplomatik. “Jemi në rrugën e paqes,” ka deklaruar Dmitriev në një forum në Arabinë Saudite. Ndërsa Witkoff e ka cilësuar “një gentleman nga Rusia”, që po shërben si një urë e rëndësishme lidhëse mes dy palëve.
Nga një i ri që merrte pjesë në protesta pro-demokracisë në Kyiv, te një figurë që lëviz mes Moskës, Uashingtonit dhe Gjirit, karriera e tij ka qenë gjithmonë e ndërthurur me Perëndimin. Ai ka studiuar në Stanford dhe Harvard, ka punuar për McKinsey dhe shpesh ka qenë zëri i Kremlinit në televizionet amerikane, duke lavdëruar aftësitë diplomatike të Trump.
Megjithatë qasja e drejtpërdrejtë me zyrtarët e Trump nuk e ka shpërblyer gjithmonë. Kur Trump njoftoi sanksione ndaj dy gjigantëve rusë të naftës, sekretari i Thesarit e etiketoi Dmitriev si “propagandist rus”, pasi ai sugjeroi se çmimet e naftës në SHBA do të rriteshin. Po ashtu, gjatë administratës Biden ai u godit fort. Thesari amerikan e quajti “aleat të njohur të Putinit” dhe sanksionoi fondin që ai drejtonte, të cilin e etiketoi si “kasafortë personale të Kremlinit”.
Në Ukrainë, ku ka rrënjë dhe ku dikur fliste për “identitetin e pavarur ukrainas”, ai është sanksionuar për “krime kundër shtetit ukrainas”.
Tani, ndërsa administrata Trump kërkon një fund të shpejtë të luftës, Kirill Dmitriev është kthyer në një nga emrat më të rëndësishëm – dhe më të diskutueshëm – të diplomacisë së re ruso-amerikane. (A2 Televizion)
