
Norvegjia po ndërton një nga veprat më ambicioze të inxhinierisë moderne. Projekti Rogfast, i cili tashmë është në fazë të avancuar pune, pritet të bëhet tuneli rrugor nën det më i gjatë dhe më i thellë në planet. Me një gjatësi prej 26.7 kilometrash dhe një pikë që zhytet deri në 392 metra nën nivelin e detit, tuneli do të lidhë zonat Randaberg dhe Bokn, duke eliminuar nevojën për lundrime me tragete në rajon.
Rogfast është pjesë kyçe e autostradës së ardhshme E39, një korridor strategjik prej 1.100 kilometrash që synon të lidhë jugun me veriun e Norvegjisë pa ndërprerje detare. Përmes dy tubave të veçantë me qarkullim në një krah, udhëtimi aktual do të shkurtohet në rreth 35 minuta, shkruan A2 CNN.
Kostoja totale e projektit kap 20.6 miliardë korona norvegjeze (rreth 1.75 miliardë euro). Pas një pauze në vitin 2019 për shkak të mbi-kostove, punimet u rifilluan në vitin 2021 dhe vazhdojnë pa ndërprerje. Tuneli pritet të hapet për qarkullim në vitin 2031, ndërsa funksionimi i plotë mund të zgjasë deri në 2033.
Punimet zhvillohen në kushte ekstreme, përmes shkëmbinjve të fortë, duke përdorur metodën e shpimit dhe shpërthimit. Gjithashtu, po ndërtohet një nyje nënujore 250 metra e thellë që do të lidhë tunelin me ishullin Kvitsøy. (A2 Televizion)
