I dërguari special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, tha sot se sulmi i fundit i Rusisë në Kiev nuk tregon se Moska dëshiron t’i japë fund luftës në mënyrë diplomatike.
“Rusia duket se po përshkallëzon situatën, me sulmin më të madh të luftës, duke goditur zyrat e kabinetit në Kiev”, shkroi Kellogg në një postim në rrjetin social ‘X’.
“Sulmi nuk është një tregues se Rusia dëshiron t’i japë fund luftës në mënyrë diplomatike”, shtoi Kellogg, përcjell A2 CNN.
Bombardimi i Kievit dhe zonave të tjera gjatë natës, me qindra dronë dhe raketa, konsiderohet sulmi më i madh ajror i nisur nga Rusia që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.
Kujtojmë se gjatë sulmit, u prek për herë të parë edhe ndërtesa e qeverisë së Ukrainës, një akt që nuk kishte ndodhur që nga fillimi i luftës. (A2 Televizion)