
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.5 ballë të shkallës Rihter goditi shtetin jugor meksikan të Guerreros, duke shkaktuar alarm dhe evakuime masive në disa zona të vendit.
Sipas Shërbimit Kombëtar Sizmologjik të Meksikës, epiqendra e tërmetit ndodhej pranë qytetit San Marcos, jo larg vendpushimit bregdetar të Paqësorit, Acapulco. Lëkundjet u ndjenë edhe në Mexico City, ku u aktivizua sistemi i paralajmërimit sizmik.
Si pasojë e alarmit, qindra persona u detyruan të largohen nga ndërtesat, ndërsa autoritetet njoftuan se deri më tani nuk ka raportime për dëme materiale apo viktima, shkruan A2 CNN.
Tërmeti ndërpreu edhe konferencën e parë për shtyp të presidentes meksikane Claudia Sheinbaum, e cila po mbahej në momentin kur u aktivizuan sirenat. Presidentja dhe gazetarët u evakuuan menjëherë nga ambientet. (A2 Televizion)