
Rusia thotë se ka identifikuar tre të dyshuar të përfshirë në të shtënat me armë ndaj gjeneralit të profilit të lartë ushtarak, Vladimir Alexeyev. Mes tyre është edhe personi që dyshohet se ka kryer sulmin, i cili është identifikuar si shtetasi rus i lindur në Ukrainë, Lyubomir Korba, raporton A2CNN.
Komiteti Hetues i Rusisë (SK) tha se Korba mbërriti në kryeqytetin Moskë në fund të dhjetorit "me detyrë nga shërbimet e inteligjencës ukrainase për të kryer një sulm terrorist".
Kievi thuhet se ka mohuar përfshirjen. Alexeyev, 64 vjeç, u dërgua në spital pas sulmit në një bllok apartamentesh në periferi veriperëndimore të Moskës të premten. Që atëherë, sipas raportimeve të mediave ruse, ai ka rifituar vetëdijen pas operacionit.
Alexeyev është numri dy në drejtorinë kryesore të inteligjencës ushtarake GRU të Rusisë dhe figura e fundit e lartë ushtarake që është vënë në shënjestër që prej pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës më shkurt 2022.
Hetuesit kryen një inspektim të plotë në vendngjarje, gjatë të cilit zbuluan armën e vrasjes, një pistoletë Makarov me silenciator dhe tre fishekë. (A2 Televizion)