Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë i shkallës Rihter goditi Detin Marmara në brigjet e lagjes Silivri të Stambollit në mesditën e sotme, duke shkaktuar panik të gjerë jo vetëm në Stamboll, por edhe në qytete të tjera si Ankara dhe Sakarya. Epiqendra e tërmetit, sipas Departamentit të Tërmeteve të Presidencës së Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), ndodhej në det, pranë Silivrit, shkruan A2 CNN.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, reagoi menjëherë pas lëkundjeve, duke shprehur solidaritetin e tij me qytetarët: “U përcjell qytetarëve tanë dëshirat e mia për një shërim të shpejtë. Po ndjekim nga afër zhvillimet”, tha ai në deklaratën e tij të parë publike të botuar nga CNN Turk.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, bëri të ditur se inspektimet paraprake nuk kanë zbuluar dëme të dukshme në infrastrukturën kritike të vendit. “Gjatë inspektimeve tona fillestare, nuk u gjet asnjë dëmtim apo situatë emergjente në autostradat, aeroportet, trenat dhe metrotë tona”, u shpreh ministri.
Lëkundjet u ndjenë edhe në kryeqytetin Ankara, duke shkaktuar shqetësim në mesin e qytetarëve që dolën menjëherë jashtë ndërtesave për të kërkuar siguri. Kryetari i Bashkisë Metropolitane të Ankarasë, Mansur Yavaş, reagoi përmes rrjeteve sociale duke thënë: “Tërmeti me magnitudë 6.2 që ndodhi në Stamboll u ndje edhe në Ankara. I uroj të gjithë të prekurit nga tërmeti, veçanërisht qytetarët tanë në Stamboll”.
Edhe në qytetin Sakarya, qytetarët dolën me shpejtësi nga banesat dhe ambientet e punës sapo ndjenë lëkundjet. Paniku ishte i dukshëm, me shumë persona që tentuan të kontaktojnë familjarët përmes telefonit dhe pritën në zona të hapura nga frika e pasgoditjeve. (A2 Televizion)