Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve të Ukrainës që ta furnizojnë atë me ndihmë ushtarake "të rëndësishme" pas sulmit të sotëm me dron dhe raketa ruse në Kiev.
Sipas mediave të huaja, Zelensky konfirmoi se raketat balistike dhe të lundrimit shënjestruan kryeqytetin ukrainas së bashku me "rreth 90 dronë sulmues".
Të paktën një person u plagos në sulm e ushtrisë ruse, shkruan A2 CNN.
Në një postim në rrjetin social ‘X’, Zelensky tha se ishte "e rëndësishme që forcat tona të kenë mjetet e nevojshme për të mbrojtur vendin nga terrori rus".
"I jam mirënjohës secilit prej partnerëve tanë që na ndihmojnë. Dorëzimi në kohë i raketave përgjuese për mbrojtjen tonë ajrore, përmbushja e marrëveshjeve për sistemet e mbrojtjes dhe prodhimin e furnizimin e luftës elektronike janë, pa ekzagjerim, përpjekje për shpëtimin e jetëve," tha ai. (A2 Televizion)