India ka pezulluar një pjesë të Traktatit të Ujrave të vitit 1960 pas sulmit të përgjakshëm në Pahalgam, ku mbetën të vrarë 26 persona
Ky traktat, që I ka mbijetuar dy luftërave mes Indisë dhe Pakistanit, ka ndarë prej dekadash burimet ujore të basenit të Indus midis dy vendeve. Vendimi i Indisë shihet si pjesë e një sërë masash kundër Pakistanit, të cilin Delhi e akuzon për mbështetje ndaj terrorizmit, një akuzë që Islamabad e mohon kategorikisht.
Traktati i njohur ndërkombëtarisht i jep Indisë të drejtën për të përdorur lumenjtë lindorë Ravi, Beas dhe Sutlej, ndërsa Pakistanit i siguron 80% të rrjedhës së lumenjve perëndimorë Indus, Jhelum dhe Chenab, burime kyçe për bujqësinë dhe energjinë në Pakistan.
Me pezullimin e traktatit, India nuk është më e detyruar të ndajë të dhëna për projektet ujore apo për përmbytjet me Pakistanin. Ekspertët thonë se kjo i hap rrugë Indisë për të ndërtuar ose modifikuar diga dhe struktura për të mbajtur ose devijuar më shumë ujë.
Megjithatë, shumica e hidrocentraleve ekzistuese indiane janë të tipit “run-of-the-river”, që nuk magazinojnë sasi të mëdha uji, duke e bërë praktikisht të pamundur ndalimin e rrjedhjes së ujërave në stinën e shirave.
Rreziku më i madh për Pakistanin qëndron në stinën e thatë, kur çdo litër ujë është jetik. Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e të dhënave, devijimi i rrjedhave ose lëshimi i papritur i ujit nga digat mund të kenë pasoja të rënda në territorin pakistanez.
India ndoshta nuk mund ta ndalojë plotësisht ujin që rrjedh në Pakistan, por për herë të parë në dekada, po vendos të testojë kufijtë e një marrëveshjeje që ka qenë gur themeli i paqes ujore në Azinë Jugore. (A2 Televizion)