Ushtarët e Indisë dhe Pakistanit kanë këmbyer zjarr në ditën e katërt me radhë në Kashmirin e kontestuar, tha ushtria e Nju Delhit më 28 prill.
Nuk ka raportime për viktima dhe Islamabadi ende nuk ka konfirmuar ende lajmin për këmbimin e zjarrit.
India e ka akuzuar Pakistanin se mbështet “terrorizimin ndërkufitar” pasi një sulmues i armatosur vrau 26 persona javën e kaluar, që ishte sulmi më i rëndë ndaj civilëve në Kashmirin – me shumicë myslimane – në çerekshekullin e fundit.
Ky sulm ka rritur tensionet mes dy rivalëve me fuqi bërthamore.
Islamabadi ka mohuar se ka pasur ndonjë rol, duke thënë se kjo ishte një përpjekje për ta lidhur Pakistanin me sulmin dhe duke u zotuar se do të përgjigjet ndaj veprimeve të Indisë.
“Gjatë natës midis 27 dhe 28 prillit... postet e ushtrisë pakistaneze nisën zjarr të paprovokuar përtej vijës së kontrollit”, tha ushtria indiane, duke iu referuar kufirit de facto në Kashmirin e kontestuar.
“Trupat indiane janë përgjigjur menjëherë dhe në mënyrë efektive”, u tha në deklaratë.
Pas sulmit të 22 prillit, Nju Delhi ndërmori disa hapa diplomatikë, duke tërhequr vizat për pakistanezët, duke pezulluar një marrëveshje për ndarjen e ujërave si dhe njoftoi për mbylljen e kufirit kryesor tokësor me Pakistanin.
Në përgjigje, Islamabadi urdhëroi dëbimin e diplomatëve dhe këshilltarëve ushtarakë indianë, anuloi vizat për shtetasit indianë dhe ndaloi avionët e Indisë që të përdornin hapësirën ajrore pakistaneze.
Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve për “përmbajtje maksimale” në mënyrë që çështjet të “mund të zgjidhen në mënyrë paqësore përmes një angazhimi të ndërsjellë dhe konstruktiv”. (A2 Televizion)