Ministria e Komunikimeve në Iran ka konfirmuar zyrtarisht kufizimet në qasjen në internet në vend, duke akuzuar Izraelin për "përdorimin e rrjetit kombëtar të komunikimeve për qëllime ushtarake". Sipas deklaratës së saj, platformat dhe shërbimet vendase mbeten të aksesueshme, ndërsa qasja në pjesë të rrjetit global është kufizuar.
Kjo ndodh në një kohë kur platforma më e madhe e këmbimit të monedhave digjitale në Iran, Nobitex, doli jashtë funksionit pas një sulmi të dyshuar kibernetik, që burime iraniane e kanë përshkruar si një “kërcënim sigurie”. Nobitex luan një rol kyç në tregun e kriptomonedhave në Iran, një mënyrë gjithnjë e më popullore për të ruajtur vlerën dhe zhvilluar transaksione përballë paqëndrueshmërisë ekonomike.
Grupi haktivist Predatory Sparrow, që më parë ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Bankës Sepah – një institucion i lidhur me forcat e armatosura – ka pretenduar gjithashtu se qëndron pas sulmit ndaj Nobitex. Ata akuzojnë platformën se ndihmon në shmangien e sanksioneve ndërkombëtare dhe në financimin e terrorizmit. Autoritetet iraniane e lidhin këtë grup me Izraelin.
Një tjetër bankë, Pasargad, u bë sot objektiv i një sulmi të ngjashëm, shkuan A2 CNN.
Zëdhënësja e qeverisë, Fatemeh Mohajerani, u përpoq të qetësonte opinionin publik, duke deklaruar se fondet publike janë të sigurta.
Ngjarjet kanë nxitur shqetësime të mëdha për sigurinë kibernetike dhe për përdorimin e kriptomonedhave në sistemin financiar iranian. (A2 Televizion)