
Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë sjellë një tjetër përplasje simbolike në rrjetet sociale. Një llogari zyrtare iraniane ka publikuar një hartë të SHBA-së, duke e paraqitur Kaliforninë si “territor të ri të Republikës Islamike të Iranit”.
Reagimi erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump publikoi në rrjetin e tij Truth Social një imazh të Ngushticës së Hormuzit, të cilën e cilësonte si “territor të ri të SHBA-së”. Postimi u ripublikua më vonë edhe nga Shtëpia e Bardhë në platformën X.
Në kundërpërgjigjen iraniane, Kalifornia shfaqej e theksuar me të kaltër, e shoqëruar me mbishkrimin: “TERRITORI I RI I REPUBLIKËS ISLAMIKE TË IRANIT”.
Edhe zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, reagoi ndaj deklaratës së Trumpit, duke thënë se qëndrimi i presidentit amerikan për Ngushticën e Hormuzit do të “korrigjohet”.
Kalifornia, veçanërisht zona e Los Angelesit, ka një komunitet të madh iraniano-amerikan. Sipas të dhënave të cituara nga UCLA, rreth 141 mijë iraniano-amerikanë jetojnë në qarkun e Los Angelesit. (A2 Televizion)