Një debat politik ka shpërthyer në Slloveni, ku presidentja Nataša Pirc Musar po përballet me pikëpyetje lidhur me rrethin e saj të afërt dhe kontakte të dyshuara me persona me lidhje me Rusinë.
Çështja është bërë më e diskutueshme pas një aksidenti automobilistik, ku në automjetin me të cilin udhëtonte presidentja ndodhej edhe një mike ruse. Mediat sllovene kanë raportuar gjithashtu për lidhjet e saj me një ish-zyrtar të inteligjencës sllovene, i cili u largua drejt Rusisë në vitet ’90.
Komisioni parlamentar për sigurinë ka kërkuar informacion nga shërbimet e inteligjencës për të vlerësuar nëse ekziston ndonjë ndikim apo rrezik i mundshëm rus në rrethin e presidentes.
Në fokus janë vendosur edhe udhëtimet e Pirc Musar në Rusi. Sipas raportimeve mediatike, ajo ka vizituar disa herë Moskën dhe Shën Petersburgun, përfshirë një udhëtim disa muaj para nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Partia opozitare SDS ka kërkuar masa më të forta, përfshirë shqyrtimin e aksesit të presidentes në informacionet e klasifikuara, deri në përfundimin e verifikimeve të sigurisë.
Nga ana tjetër, shërbimi slloven i inteligjencës dhe sigurisë, SOVA, ka deklaruar se një verifikim i mëparshëm nuk kishte evidentuar rrethana që përbënin kërcënim për sigurinë. (A2 Televizion)