
Kryeministri Edi Rama ka folur nga Pogradeci pas përfundimit të ditës së parë të takimeve me drejtuesit politikë, ku në fokus ka qenë përgatitja për vitin e dytë të mandatit qeverisës.
Në deklaratën e tij, Rama tha se diskutimet janë përqendruar te “Besa”, “Prania Besnike” dhe mënyra e re e komunikimit të qeverisë me qytetarët.
Kryeministri njoftoi gjithashtu krijimin e një ekosistemi të ri komunikimi, përmes të cilit synohet që çdo kërkesë, shqetësim apo problem i qytetarëve të ndiqet në kohë reale nga institucionet përgjegjëse, “Pasqyrën Unike”, ku do të përfshihen të gjitha institucionet.
Sipas tij, kërkesat e qytetarëve do të mund të ndiqen në kohë reale, ndërsa institucionet do të monitorojnë përgjegjësitë dhe respektimin e afateve.
“Aty ku Lasgushi vjen me frymëzimet magjepsëse dhe aty ku u përpoqëm të mbledhim reflektimet e një periudhe pushimesh aktive. Kemi diskutuar për Besën, për Praninë Besnike, për ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë me qytetarin, edhe për Pasqyrën Unike ‘Pasqyrë Albania’, ku do të jenë të pranishme të gjitha institucionet”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)