
Kryeministri Edi Rama prezantoi në Pogradec projektin e ri “Pasqyra Albania”, që synon të mundësojë ndjekjen në kohë reale të kërkesave dhe ankesave të qytetarëve.
Pas prezantimit, ka reaguar kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e ka kritikuar nismën dhe ka ngritur akuza për koston e projektit. Berisha shkruan se bëhet fjalë për një tjetër projekt që do të kushtojë miliona nga fondet publike.
Sipas tij, “Pasqyra Albania” nuk do të zgjidhë problemet e qytetarëve me administratën, duke e cilësuar nismën si “një mashtrim të ri” dhe “një mur të ri midis qytetarit dhe administratës”.
Reagimi i plotë:
“Pasqyrë Albania”, Diella e re shumë milionëshe! Në serialin e mashtrimeve të tij të kësaj vere, Edi Rama, i bronzuar por i tromaksur dhe i skaduar, pas dështimit me Besën dhe Besimin, njoftoi nga Pogradeci portalin e ri "Pasqyra Albania" si mjetin e komunikimit me qytetarët për hallet e tyre.
Në fakt, me këtë ai njoftoi vjedhjen e re të miliona dollarëve për "Pasqyra Albania", në të cilën, sipas tij, qytetari do të mund të ndjekë ankesën apo kërkesën e tij.
Natyrisht, pasqyra është një mashtrim i ri, një mur i ri midis qytetarit dhe administratës, e cila do t'u shërbejë qytetarëve aq sa Diella luftës kundër vjedhjeve qeveritare. (A2 Televizion)