Irani është në gjendje që të lëshojë shumë më tepër raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj Izraelit dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, pasi ka avancuar ndjeshëm në rikuperimin e arsenaleve të fshehura në tunele nëntokësore.
Për javë me radhë, sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kufizuan aksesin e Iranit në këto objekte duke shkatërruar rrugët hyrëse dhe duke bllokuar hyrjet e tuneleve.
Megjithatë, imazhet satelitore të analizuara nga CNN tregojnë se autoritetet iraniane kanë përdorur pajisje të zakonshme, si buldozerë dhe kamionë, për të larguar rrënojat dhe për të rikthyer funksionalitetin e bazave.
Sipas ekspertëve, kjo dëshmon se kapacitetet raketore të Iranit nuk mund të neutralizohen vetëm duke goditur hyrjet e tuneleve. Më shumë se shtatë javë pas armëpushimit, ritmi i punimeve është përshpejtuar ndjeshëm.
Sipas analizës së CNN, Irani ka rihapur 50 nga 69 hyrjet e tuneleve që u goditën nga SHBA-ja dhe Izraeli në 18 objekte të ndryshme raketore nëntokësore.
Përveç tuneleve, thotë CNN, janë riparuar edhe pjesë të tjera të infrastrukturës ushtarake. Imazhet satelitore tregojnë se pothuajse të gjitha krateret e krijuara nga bombardimet në rrugët që shërbejnë për lëvizjen e raketahedhësve janë mbushur, ndërsa në dy zona rrugët janë asfaltuar sërish, duke rikthyer plotësisht përdorimin e tyre. (A2 Televizion)