
Irani kthen sytë nga Moska për zgjidhjen e konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Ministri i Jashtëm, Abas Arakçi, mbërriti këtë të hënë në Rusi, ku, siç tha, do të konsultohet me aleatët për luftën në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë për gazetarët lokalë, zyrtari iranian tha se kërkesat e tepruara të Shteteve të Bashkuara kishin sjellë dështimin e negociatave në Islamabad… Vizita e Arakçit në Rusi zhvillohet pas bisedimeve të fundjavës me negociatorët pakistanezë dhe të Omanit.
Arakçi: “Pakistani po luan një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Ishte e nevojshme të bëhej një rishikim i situatës më të fundit. Në çdo rast, gjatë negociatave ka pasur zhvillime; qasjet e amerikanëve bënë që raundi i mëparshëm i bisedimeve, pavarësisht përparimit të arritur, të mos i përmbushte objektivat e tij. Kjo për shkak të kërkesave të tepruara dhe qasjeve të gabuara që ata përqafuan.”
Arakçi përmendi si prioritet kalimin e sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, që, siç tha, mbetet shqetësim global, dhe i bëri thirrje fqinjëve, përfshirë Omanin, të punojnë për interesat e përbashkëta në ngushticë.
E ndërsa Teherani kërkon një “varkë shpëtimi” në Rusi, presidenti amerikan Donald Trump thotë se Irani mund të telefonojë nëse dëshiron të negociojë fundin e luftës 2-mujore. “Është shumë e thjeshtë: ata nuk mund të kenë armë bërthamore; përndryshe, nuk ka arsye për t’u takuar”, tha Trump.
Axios raportoi të dielën se Irani i ka dorëzuar SHBA-së një propozim të ri përmes negociatorëve pakistanezë, mbi rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe fundin e luftës, me negociatat bërthamore që do të shtyheshin në një fazë të mëtejshme.
Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë komentuar ende lidhur me propozimin iranian, por Trump tha se kishte anuluar udhëtimin e delegacionit të tij në Islamabad të shtunën, për shkak të asaj që e konsideronte ofertë të papërshtatshme nga Irani. “Ka ofruar shumë, por jo mjaftueshëm”, ishin fjalët e tij. (A2 Televizion)