
Ushtria izraelite njofton se raketa të lëshuara nga Irani i janë drejtuar territorit të saj.
Sipas ushtrisë së Izraelit, një valë e re raketash është lëshuar nga Irani dhe sistemet e mbrojtjes ajrore janë në funksion për të ndërhyrë dhe neutralizuar sulmin.
Në një postim në rrjetin X, ushtria bëri të ditur se banorët në zonat e rrezikuara janë njoftuar përmes mesazheve në telefonat e tyre celularë dhe janë udhëzuar të strehohen në vendstrehime deri në eliminimin e kërcënimit.
Lufta e Gjirit, e nisur më 28 shkurt, ka pasur një rritje të intensitetit ushtarak, ku Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë vrarë drejtues të ushtrisë iraniane dhe kanë goditur baza ushtarake, por edhe objekte civile, si në rastin e sulmit ndaj një shkolle në Iran, ku humbën jetën shumë fëmijë.
Sulmet me raketa nga Irani ndaj bazave amerikane të vendosura në Lindjen e Mesme kanë përkeqësuar marrëdhëniet mes Iranit dhe shteteve arabe, raporton A2CNN.
Sulmi i fundit ndaj Izraelit është një nga të shumtët që prej nisjes së luftës. Megjithatë, në nivel proksi (përmes aktorëve të tjerë), Izraeli dhe Irani kanë vite që përballen, përmes grupeve si Houthi-t në Jemen dhe Hezbollah-u në Liban. (A2 Televizion)