“Putin është i korruptuar, vendi po shpërbëhet”, habit postimi i ish mbështetësit të Kremlinit

Nga A2 CNN
18 Mars 2026, 14:58 | Bota

“Putin është i korruptuar, vendi po shpërbëhet”,

Një nga figurat e njohura pro-Kremlinit, avokati rus Ilya Remeslo, ka shkaktuar tronditje në opinionin publik pasi u kthye papritur kundër presidentit Vladimir Putin, duke kërkuar dorëheqjen dhe gjykimin e tij si kriminel lufte.

Në një postim në Telegram drejtuar rreth 90 mijë ndjekësve, Remeslo publikoi një manifest me titull “Pesë arsye pse ndalova së mbështeturi Vladimir Putin”. Ai e cilësoi presidentin rus “të paligjshëm” dhe e akuzoi për një luftë të dështuar në Ukrainë, që sipas tij ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe dëme serioze ekonomike për Rusinë.

Në deklarata për mediat, 42-vjeçari theksoi se ushtria ruse nuk po avancon në Ukrainë dhe se konflikti po zhvillohet për territore të vogla pa përfitim real për vendin. Ai kritikoi gjithashtu sistemin e qeverisjes së Putinit, duke e cilësuar atë si të korruptuar dhe autoritar, ndërsa shtoi se vendi “po shpërbëhet”.

Ky reagim konsiderohet i pazakontë, pasi Remeslo ka qenë për vite me radhë një mbështetës i fortë i Kremlinit, i angazhuar në sulme ndaj opozitës dhe kritikëve të regjimit, përfshirë edhe liderin e ndjerë opozitar Alexei Navalny. Për këtë arsye, deklaratat e tij kanë ngritur pikëpyetje mbi arsyet e këtij ndryshimi të menjëhershëm, raporton A2CNN.

Ekspertët dhe analistët e kanë cilësuar këtë si një zhvillim të paprecedent, ndërsa janë hedhur dyshime nëse bëhet fjalë për një qëndrim të sinqertë apo për një manovër të mundshme politike. Vetë Remeslo mohoi çdo skenar të tillë, duke deklaruar se vendimi për të folur ka ardhur gradualisht dhe se nuk mund të qëndronte më në heshtje.

Ndërkohë, reagimi i tij vjen në një moment të ndjeshëm për Rusinë, ku janë shtuar kritikat edhe nga mbështetës të luftës, ndërsa sondazhet tregojnë lodhje në rritje nga konflikti. Megjithatë, ekspertët besojnë se sistemi i pushtetit të Putinit mbetet i qëndrueshëm.

Remeslo deklaroi se është i vetëdijshëm për pasojat ligjore që mund të përballet, por theksoi se ndjen përgjegjësi personale për mbështetjen e mëparshme ndaj regjimit dhe nevojën për të thyer heshtjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos