
Teherani do t’i rindërtojë objektet e veta bërthamore “me forcë edhe më të madhe”, tha të dielën për mediat shtetërore presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, duke shtuar se vendi nuk synon të prodhojë armë bërthamore.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të urdhërojë sulme të reja ndaj objekteve bërthamore të Iranit, nëse Teherani përpiqet ta rifillojë punën në objektet që Uashingtoni i bombardoi në qershor.
Pezeshkian i bëri këto komente gjatë një vizite në Organizatën e Energjisë Atomike të vendit, ku u takua me drejtues të lartë të industrisë bërthamore iraniane.
“Shkatërrimi i ndërtesave dhe fabrikave nuk do të na krijojë problem; ne do t’i rindërtojmë ato dhe me forcë edhe më të madhe”, tha presidenti iranian për mediat shtetërore.
Në qershor, SHBA-ja kreu sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane, për të cilat Uashingtoni thotë se ishin pjesë e një programi për zhvillimin e armëve bërthamore.
Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime tërësisht civile.
“Gjithçka është e menduar për zgjidhjen e problemeve të popullit, për sëmundjet, për shëndetin e njerëzve”, tha Pezeshkian, duke iu referuar aktiviteteve bërthamore të Iranit. (A2 Televizion)
