Kahu lindor i NATO-s është bërë gati për një luftë të mundshme me Rusinë. Kryeministri i Lituanisë konfirmoi për median BBC se vendi i tij ka bërë gati planet e evakuimit nëse do të përballen me një kërcënim nga Moska, ndërsa shton se “nuk do të dorëzohen” nëse sulmohen nga ushtria e Vladimir Putinit. Shefi i qeverisë së shtetit baltik, Mindaugas Sinkeviçius, nënvizon se populli i tij ndihet “vazhdimisht i kërcënuar” nga Rusia, pasi dronë kamikazë shkelin hapësirën ajrore të vendit anëtar të NATO-s. Nëse Lituania sulmohet, ushtria do të “qëllojë pas dhe do të angazhohet në luftime”.
Kryeministri konfirmoi se ekzistojnë tashmë plane për një “sërë skenarësh” dhe janë bërë ushtrime për të larguar të moshuar dhe qytetarë të tjerë jashtë qyteteve për të shmangur trafikun që mund të krijohet në rast lufte.
“Po mendojmë për një varietet skenarësh, jo të gjithë po diskutohen shumë publikisht. Ne përballemi me kërcënime konkrete, jo çdo ditë, por po i përjetojmë ato dhe është një realitet për ne”, tha ai, përcjell A2 CNN.
Lituania, si vend anëtar i NATO-s, ndan një kufi tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit. Shteti ka përjetuar incidente të shumta vitin e kaluar, që janë përkufizuar si “sulme hibride”, ndërsa ka fajësuar Bjellorusinë fqinje, një aleat shumë i afërt i Rusisë. Gjatë orëve të vona të së hënës, fluturimet pësuan probleme të shumta në aeroportin kryesor të kryeqytetit Vilnius për shkak të fluturimit të disa balonave.
Ndërkohë, Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone, paralajmëron se Europa ndodhet nën një presion rus që nuk është luftë e hapur, por as paqe. Ai thotë se Moska po teston vendosmërinë e Aleancës përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, dronëve dhe aktiviteteve hibride.
Sipas tij, “arma më e rrezikshme e Rusisë është propaganda”, e cila synon të minojë unitetin dhe proceset demokratike në vendet aleate. Dragone thekson se NATO është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj, ndërsa një reagim efektiv kërkon plane ushtarake të përgatitura, atribuim të shpejtë dhe infrastrukturë rezistente. (A2 Televizion)