Marina e Jemenit na dërgon në ishullin Perim, në zemër të një lufte pak të njohur lokale, e cila tashmë po përfshihet në luftën e Amerikës me Iranin.
Nic Robertson, reporter i CNN, shprehet: “Çfarëdo që të ndodhë këtu më pas, mund të na ndikojë edhe më shumë se vetë lufta me Iranin. Këto ishuj, kjo rrugë ujore jetike dhe çmimi i naftës janë të gjitha të cenueshme tani. Dhe ajo që ndodh këtu mund të ndikojë edhe në fatin politik të presidentit Trump”.
Në javët e fundit, rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë sulmuar disa cisterna saudite nafte në këto ujëra. Kjo rrugë detare shihet si një alternativë ndaj ngushticës së Hormuzit, ndërsa prania dhe kërcënimi i Huthive mbeten të vazhdueshme.
“Papritur, na u desh të ktheheshim dhe na thanë se arsyeja ishte alarmi për dronë në ajër. Kjo është një luftë e vërtetë dhe kjo është një nga epiqendrat e saj”, tha Robertson.
Pas një tentative të dytë, ekipi arrin t’i afrohet ishullit: “Përballë nesh është ngushtica Bab al-Mandab, pika më e ngushtë e Detit të Kuq. Anijet që shihni atje janë arsyeja pse kjo zonë është kaq e rëndësishme: transporti tregtar, jetik për ekonominë globale”.
Më në fund, ekipi mbërrin në Perim dhe pritet nga forcat e qeverisë së Jemenit, të cilat përpiqen të mbajnë të hapur këtë korridor të rëndësishëm detar. Pak të huaj arrijnë deri këtu. Gazetarët ndërkombëtarë të CNN janë ndër të paktët që kanë vizituar zonën në vite.
Por, edhe këtu kërcënimi nga dronët e Huthive mbetet i pranishëm. Ishulli duket sikur ka mbetur jashtë kohës, i izoluar në mes të detit.
“Jemi vërtet të izoluar këtu, në mes të detit. Në atë drejtim është Bab al-Mandab dhe përtej tij mund të shihni Afrikën. Xhibuti është vetëm pak larg, përtej detit”, thotë Robertson.
Perimi ndodhet në pikën më të ngushtë të ngushticës Bab al-Mandab, vetëm rreth 20 kilometra nga brigjet afrikane.
Pasi Irani bllokoi transportin detar në ngushticën e Hormuzit, Arabia Saudite devijoi eksportet e saj të naftës përmes Detit të Kuq, duke ndihmuar në frenimin e rritjes së çmimeve globale.
Rreth 10 për qind e naftës së konsumuar në botë dikur kalonte përmes kësaj rruge: “Tani kjo shifër ka rënë në më pak se gjysmën. Por nëse Huthit marrin kontrollin e Detit të Kuq, nëse këta përfaqësues të Iranit arrijnë ta kontrollojnë këtë korridor, ata mund ta ulin transportin e naftës këtu pothuajse në zero”.
Ajo që ekipi nuk sheh gjatë vizitës së shkurtër është një forcë ushtarake që të jetë në përpjesëtim me rëndësinë që kjo zonë ka për pjesën tjetër të botës.
Dhe kjo është pikërisht ajo që shqetëson komandantin e forcave qeveritare në këtë rajon.
“Huthit do të përpiqeshin t’ju vrisnin, apo jo? Edhe iranianët do të donin t’ju shihnin të vdekur”, theksoi Robertson.
Tarik Saleh, Zëvendëspresident i Këshillit Presidencial të Jemenit, tha: “Shumë herë. Shumë herë, e di”.
Zëvendëspresidenti Tarik Saleh është një figurë e rrallë politike që vazhdon të qëndrojë në Jemen dhe të luftojë kundër Huthive: “Ne i thamë botës se ky ishte një plan iranian, por askush nuk i dëgjoi jemenasit në atë kohë. Kjo nuk ishte një betejë që do të prekte vetëm jemenasit, por edhe rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar”.
Robertson: “Pra, kjo është mënyra e Iranit për të ushtruar presion mbi presidentin Trump?”
Saleh: “Pikërisht.”
Robertson: “A po merrni ndonjë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara?”
Saleh: “Vetëm fjalë.”
Robertson: “Vetëm fjalë... si ndiheni për këtë?”
I zhgënjyer, përgjigjet Saleh.
Megjithatë, ai shprehet optimist për forcat e tij, duke pretenduar se kanë bërë përparime në terren falë pajisjeve dhe taktikave të reja.
Forcat qeveritare po përdorin edhe dronë të vegjël për të goditur pozicionet e Huthive, në taktika të ngjashme me ato që janë përdorur në Ukrainë.
Por, lufta nuk do të jetë e lehtë.
Pas vitesh përleshjesh, Huthit janë fort të pozicionuar, kontrollojnë kryeqytetin dhe pjesën veriperëndimore të Jemenit, përfshirë një pjesë të madhe të bregdetit të Detit të Kuq.
Qeveria kontrollon pjesën lindore dhe jugore, ndërsa sulmet e Huthive po ushtrojnë presion drejt pjesës së fundit të bregdetit të Detit të Kuq që ende kontrollohet nga forcat qeveritare.
Dhe ajo që forcat e Salehut organizojnë për ekipin e CNN-it është një përballje me realitetin e armikut me të cilin po përballen.
“Tani sapo kemi hyrë në një automjet të madh të blinduar. Interesante është se gjithçka është e errësuar. Edhe xhamat janë të zinj, ndaj nuk e dimë se ku po shkojmë”, thotë Robertson.
Destinacioni është një depo sekrete dhe e sigurt, ku ushtria jemenase thotë se ka grumbulluar armë të prodhuara në Iran, të sekuestruara nga kontrabandistët në det.
Mes tyre ndodhet një raketë e sofistikuar kundër anijeve, e aftë të godasë cisterna në distanca prej qindra kilometrash.
Në depo ka gjithashtu raketa moderne kundërajrore, pajisje optike dhe radarë të avancuar. Por, autoritetet pranojnë se më shumë armë iraniane arrijnë te Huthit, sesa ato që ushtria jemenase arrin të kapë.
Robertson: “Cila është strategjia e Iranit me Huthit?”
Abdel Nasser el-Mamlouh, NRF Media: “Rrethimi amerikan ndaj Iranit në ngushticën e Hormuzit e ka bërë Iranin të shohë mundësitë e tij dhe të aktivizojë armën më të fortë: Huthit, për të mbyllur Bab al-Mandabin. Mesazhi i tyre është se nëse ekonomia jonë shembet në Iran, atëherë do të shembet edhe ekonomia botërore.”
Në javët e fundit, Huthit kanë shtuar sulmet ndaj forcave të Salehut në Mokha, një port jetik tregtar dhe një prej objektivave të përsëritura të rebelëve.
Muret e portit janë të mbushura me gjurmët e sulmeve, ndërsa në ujë dallohen anije të fundosura ose në proces fundosjeje.
Robertson: “Kjo këtu është një pjesë e një prej raketave të Huthive, pjesa e bishtit të saj. Shikoni sa e rëndë është. Raketa është përplasur në tokë dhe copëzat janë shpërndarë në të gjithë portin dhe mbi këtë anije. Aq shumë raketa kanë rënë këtu, sa autoritetet u detyruan ta mbyllnin të gjithë portin.”
Drejtori i portit i thotë CNN-it se 16 persona kanë humbur jetën dhe rreth 1 mijë e 500 punonjës kanë mbetur pa punë.
Sipas tij, Huthit po përpiqen të shkatërrojnë jo vetëm ekonominë e zonës, por edhe jetën e njerëzve.
Më shumë se dhjetë vite luftë civile e kanë çuar Jemenin në prag të kolapsit, ndërsa organizatat humanitare thonë se më shumë se gjysma e popullsisë ka nevojë për ndihmë.
Tani, lufta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara rrezikon ta shtyjë Jemenin edhe më tej drejt katastrofës.
Saleh ka edhe një paralajmërim për presidentin Trump: humbjet e Jemenit mund të kthehen në kosto ekonomike për Shtetet e Bashkuara dhe për botën.
Saleh: “Ne shohim koston e lartë që komuniteti ndërkombëtar po paguan për të garantuar kalimin e vetëm disa anijeve përmes ngushticës së Hormuzit. Nëse forcat jemenase do të mbështeteshin tani, ato do të mund të arrinin rezultate shumë më të mëdha, me një kosto shumë më të ulët se ajo që kërkohet për të siguruar ngushticën e Hormuzit.”
Trashëgimia e Donald Trump në raport me Iranin po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. (A2 Televizion)