Nuk ka paqe në Lindjen e Mesme, shtyhet takimi mes Iranit dhe Omanit, rriten çmimet e naftës

Nga Erjon Dervishi
14 Shtator 2026, 18:24 | Bota

Shtetet e Gjirit Persik kanë shtyrë një takim të rëndësishëm me Iranin mbi menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit për shkak të mungesës së konsensusit, duke penguar përpjekjet rajonale për të ulur tensionet mbi këtë rrugë ujore jetësore.

Takimi i ministrave të jashtëm ishte planifikuar për të hënën në Oman, ku Irani dhe fqinjët e tij arabë pritej të diskutonin një marrëveshje midis Teheranit dhe Muskatit për të menaxhuar përkohësisht transportin detar përmes ngushticës.

Irani ka bllokuar transportin detar përmes rrugës ujore që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën luftën e tyre kundër Republikës Islamike në shkurt, duke e shndërruar atë në një fushëbetejë kryesore në konflikt. Çmimet e naftës u rritën pas njoftimit të shtyrjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme për çështjet e Gjirit Persik njoftoi se takimi i ministrave të jashtëm të shteteve bregdetare të Gjirit Persik është shtyrë. Mohammad Ali Bak deklaroi se, me kërkesë të disa vendeve të rajonit dhe me një vendim të përbashkët të Omanit dhe Iranit, takimi i ministrave të jashtëm të shteteve bregdetare të Gjirit Persik, i cili ishte planifikuar për të hënën, është shtyrë për një datë të mëvonshme.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme. Takimi do të kishte qenë hera e parë që diplomatët më të lartë nga gjashtë anëtarët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit - Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Katari, Omani dhe Bahreini - do të uleshin si grup me homologun e tyre iranian në pothuajse dy vjet.

Pritej që të merrte pjesë edhe Iraku. Por Bahreini, i cili mban presidencën e rradhës të GCC-së dhe ka qenë ndër shtetet e Gjirit më të goditura nga sulmet hakmarrëse të Iranit, tha të shtunën se nuk do të merrte pjesë.

Shtyrja vjen gjithashtu në një kohë kur Arabia Saudite përballet me një krizë në rritje, pas një sulmi me dron të enjten nga Iraku - ku janë aktive milicitë shiite të mbështetura nga Irani - e detyruan atë të mbyllë një tubacion që shkon nga bregu i saj lindor i pasur me naftë në bregun e saj perëndimor. Tubacioni është bërë jetik për eksportet e naftës saudite që kur Irani mbylli trafikun përmes Ngushticës së Hormuzit.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar i naftës, u rrit me 3.5% në më shumë se 108 dollarë për fuçi, ndërsa tregtia u hap në Azi të hënën pas shtyrjes së bisedimeve. Më vonë ajo hoqi dorë nga disa nga fitimet e saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos