Anis Mehmeti mund të jetë një nga emrat që do të ndryshojë skuadër përpara mbylljes së merkatos në Angli.
Mesfushori shqiptar nuk po gjen hapësirat e pritshme te Ipswich Town, pas një merkatoje të fuqishme të klubit, që është rikthyer në Premier League. Me ardhjen e shumë përforcimeve, Mehmeti ka zbritur në hierarki dhe e ardhmja e tij në Portman Road është vënë në diskutim.
Interesi për 25-vjeçarin nuk mungon. Birmingham City, Wrexham dhe Derby County kanë shfaqur interes dhe raportohet se kanë bërë oferta për shërbimet e tij.
Megjithatë, trajneri Gary O’Neil ka lënë derën hapur për shqiptarin, duke theksuar se Mehmeti është i mirëpritur të qëndrojë dhe se, nëse mbetet, klubi do të tentojë të marrë më të mirën prej tij.
Anis Mehmeti ishte sërish në tribunë në supersfidën që Ipswich luajti këtë fundjavë ndaj Manchester United. Ylli i Kombëtares shqiptare mungoi edhe në javën e parë ndaj Sunderlandit, ndërsa në duelin me Leicesterin në Kupë, trajneri zbuloi se mungesa e tij erdhi për arsye shëndetësore.
Ipswich nuk do ta shiste mesfushorin kuqezi për më pak se 10 milionë euro, ndonëse ende nuk ka hyrë në bisedime konkrete me ndonjë klub.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Mehmeti do të luftojë për vendin e tij në Premier League apo do të zgjedhë një aventurë të re në Championship. (A2 Televizion)