Izrael| Akuzat për rrjedhje të inteligjencës, arrestohet ndihmësi i kryeministrit Netanyahu

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2024, 21:38 | Bota

Izrael

Policia izraelite ka arrestuar një ndihmës të lartë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, i dyshuar për rrjedhje të informacionit të klasifikuar në mediat e huaja.

Sipas CNN, Udhëheqësit e opozitës thonë se inteligjenca ishte "falsifikuar" dhe ishte pjesë e një mashtrimi për të penguar një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh në Gaza.

Hetimi përqëndrohet në pretendimet se zyra e kryeministrit promovoi në mediat e huaja pretendimin se Hamasi po planifikonte të kontrabandonte pengje nga Gaza në kufirin egjiptian dhe të krijonte ndarje në shoqërinë izraelite për t'i bërë presion Netanyahut për lirimin e pengjeve dhe marrëveshjen e armëpushimit.

Eliezer Feldstein, i cili është emëruar nga politikanët e opozitës si ndihmës i Netanyahut, është në mesin e disa personave që po merren në pyetje për rrjedhjen e "informacioneve të fshehta dhe të ndjeshme të inteligjencës", sipas dokumenteve të gjykatës. Një urdhër gjykate i bërë publik të dielën tha se informacionet e marra nga sistemet e ushtrisë izraelite dhe "të lëshuara në mënyrë të paligjshme" mund të kenë dëmtuar aftësinë e Izraelit për të liruar pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gaza.

Një zëdhënës i Netanyahut mohoi se ka pasur rrjedhje nga Zyra e Kryeministrit (PMO) dhe se "personi në fjalë nuk ka marrë pjesë kurrë në diskutime të lidhura me sigurinë", me sa duket duke iu referuar Feldstein, shkruan A2 CNN.

PMO gjithashtu minimizoi mundësinë që rrjedhja të ndikoi në negociatat me Hamasin për lirimin e pengjeve nga Gaza, duke e quajtur pretendimin "qesharak".

Udhëheqësi i opozitës Yair Lapid akuzoi të dielën zyrën e kryeministrit për nxjerrjen e “dokumenteve sekrete të falsifikuara”.

Familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza e kanë akuzuar Netanyahun se ka penguar vazhdimisht një marrëveshje me Hamasin, duke besuar se fundi i luftës në Gaza do ta detyronte kryeministrin të mbajë zgjedhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos