Izraeli fillon ditën e dytë të sulmeve, SHBA: Çmimet e naftës do tronditen, por nuk i prekim rezervat

Nga Erjon Dervishi
1 Mars 2026, 10:22 | Bota

Izraeli ka bërë të ditur të dielën se ka nisur një valë tjetër sulmesh ndaj Iranit, ndërsa iranianët përballen me pasiguri pas vrasjes së udhëheqësit të tyre suprem në sulmet amerikane dhe izraelite. Raportohet po ashtu se në një tjetër goditje për udhëheqësit e Iranit, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Abdolrahim Mousavi u vra në sulme. Zyrtari më i lartë i sigurisë në Iran, Ali Larijani, tha se do të ngrihej një këshill i përkohshëm udhëheqës pas vrasjes së Ali Khameneit.

Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se po përpiqen të plaçkitin dhe shpërbëjnë Iranin dhe paralajmëroi "grupet secesioniste" për një përgjigje të ashpër nëse ata përpiqen të ndërmarrin veprime, tha televizioni shtetëror. Në komentet drejtuar Trump dhe aleatit të tij të ngushtë, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, tha se ata kishin kaluar një vijë të kuqe dhe do të "paguanin për të".

Një burim i informuar mbi fushatën izraelite i tha Reuters se nuk kishte pasur ndryshim në strategjinë ushtarake pas vrasjes së Khameneit dhe se sulmet do të vazhdonin të synonin zyrtarët iranianë dhe infrastrukturën raketore.

Disa shpërthime të forta u dëgjuan për të dytën ditë të dielën në qendrën rajonale të biznesit Dubai dhe mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, thanë dëshmitarët, pasi Irani nisi sulme hakmarrëse ndaj shteteve fqinje të Gjirit.

Tymi i bardhë nga i raketave u duk në qiellin mbi Dubai, ndërsa tymi i errët u ngrit mbi portin e tij Jebel Ali, një nga më të ngarkuarit në Lindjen e Mesme. Irani, i cili ka thënë se do të shënjestrojë bazat amerikane nëse sulmohet, goditi një sërë objektivash të tjerë.

Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan vazhdimisht në Izrael herët të dielën, me një seri shpërthimesh të dëgjuara në Tel Aviv, ndërsa sistemi i sofistikuar i mbrojtjes ajrore i Izraelit u përpoq të përgjonte ofensivën e fundit iraniane.

Ndërkohë bëhet e ditur se SHBA-të nuk po shqyrtojnë mundësinë e shfrytëzimit të rezervave të tyre strategjike të naftës, duke sinjalizuar se Uashingtoni beson se çdo rritje e çmimeve pas sulmit të saj ndaj Iranit do të jetë e kufizuar. “Nuk ka pasur asnjë diskutim rreth SPR-së”, tha një zyrtar i Departamentit të Energjisë për FT, kur u pyet për përgatitjet që administrata Trump kishte bërë për të parandaluar një rritje të çmimeve të naftës bruto që mund të dëmtonte ekonominë dhe t’i çonte çmimet e konsumit më lart.

Çmimet e naftës pritet të rriten të dielën, kur tregjet të rihapen në orën 6 pasdite në Nju Jork, ndërsa tregtarët reagojnë ndaj shqetësimeve se lufta mund të ndërpresë furnizimet me naftë në Lindjen e Mesme. Brent, çmimi referues ndërkombëtar, u stabilizua në 72.87 dollarë për fuçi të premten. Rezerva strategjike e SHBA-së përmban rreth 415 milionë fuçi naftë, një pjesë e së cilës mund të tërhiqet për të qetësuar tregjet, siç ndodhi në vitin 2022, kur pushtimi i Ukrainës nga Rusia i shtyu çmimet më lart. Anëtarët e Opec+, grupi prodhues i naftës, mund të vendosin të rrisin ndjeshëm prodhimin e tyre në një përpjekje për të qetësuar tregjet, thanë analistët dhe njerëzit e njohur me diskutimet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos