Izraeli gati të ndalojë flotiljen për në Gaza, Italia kërkon shmangien e dhunës ndaj aktivistëve

Nga A2 CNN
30 Shtator 2025, 19:58 | Bota

Izraeli gati të ndalojë flotiljen për në Gaza, Italia

Marina izraelite po përgatitet të marrë kontrollin e më shumë se 50 anijeve të Flotiljes Globale Sumud që kanë hyrë në poligonin e përgjimit të ushtrisë. Njësia speciale Shayetet 13 po merr pjesë gjithashtu në operacionin për kapjen e anijeve, raportuan burime ushtarake për stacionin televiziv publik Kan.

Marina planifikon të transferojë aktivistët në një anije të madhe detare dhe t'i tërheqë anijet në portin e Ashdodit, me mundësinë e fundosjes së disa prej tyre në det.

Izraeli nuk ka ndërmend të lejojë që flotilja të hyjë në ujërat e Rripit të Gazës. Më parë, fregata e Marinës Italiane Alpino kishte njoftuar zyrtarisht të gjitha anijet e Flotiljes për gatishmërinë e saj për të pranuar në bord këdo që dëshiron të largohet nga misioni. Sipas burimeve institucionale për mediat italiane, disa qytetarë italianë në bord të Flotiljes kanë rënë dakord të kthehen, duke u larguar vullnetarisht nga misioni në orët e fundit.

Ministri i jashtëm italian, Tajani i ka kërkuar homologut izraelit që të mos përdorin dhunë nëse ndalojnë italianët në Flotilje.

“Ata nuk janë atje me qëllime luftarake. Ne absolutisht duhet të shmangim çdo problem me këdo", tha kreu i Forza Italia dhe Ministri i Jashtëm Antonio Tajani.

I gjithë incidenti po ndiqet me vëmendje në rritje nga organizatat humanitare, qeveritë dhe publiku. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për kujdes, ndërsa disa vëzhgues kujtojnë se operacione të ngjashme në të kaluarën kanë pasur rezultate dramatike. Klima në zonë mbetet e tensionuar.

Sipas burimeve pranë organizatorëve, disa anije të Flotiljes kanë pësuar dëme teknike dhe thuhet se po monitorohen nga dronë të paidentifikuar. Megjithatë, grupi ka njoftuar qëllimin e tij për të vazhduar misionin, duke deklaruar se "bllokada detare nuk mund të justifikojë kufizimin e të drejtave në ujërat ndërkombëtare". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos