Autoritetet izraelite kanë deklaruar se në valën më të fundit të sulmeve ndaj Iranit, një prej objektivave ka qenë burgu famëkeq Evin, në kryeqytetin iranian, Teheran.
Ndërkohë, Irani ka reaguar duke minimizuar rëndësinë e sulmeve. Agjencia Mizan, e lidhur me sistemin gjyqësor iranian, njoftoi se janë marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të “mbrojtur sigurinë e të burgosurve”.
Çfarë rëndësie ka burgu Evin?
Burgu Evin konsiderohet si institucioni kryesor ku mbahen të burgosurit politikë në Iran. Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare për numrin aktual të të ndaluarve, vlerësohet se në të mund të jenë të strehuar mijëra persona, ndërsa kapaciteti i tij mendohet të jetë rreth 15,000 vetë.
Në këtë burg ka vuajtur pjesërisht dënimin edhe shtetasja britaniko-iraniane Nazanin Zaghari-Ratcliffe, e cila u lejua të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022, pas gati gjashtë vitesh burgim nën akuzën për spiunazh, shkruan A2 CNN.
Aktualisht, në Evin mbahen aktivistë politikë, shtetas me nënshtetësi të dyfishtë, të huaj të akuzuar për spiunazh, si dhe pjesëtarë të minoriteteve fetare dhe etnike.
Akuzat e ngritura ndaj këtyre individëve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga mediat ndërkombëtare, përfshirë BBC-në. (A2 Televizion)