
Një flotilje humanitare me destinacion Gazën ka akuzuar Izraelin për ndërhyrje të paligjshme në ujëra ndërkombëtare, pasi forcat izraelite kanë interceptuar disa prej anijeve dhe, sipas organizatorëve, kanë dëmtuar qëllimisht pajisjet e tyre.
Sipas Gur Tsabar, zëdhënës i Global Sumud Flotilla, veprimet e Izraelit përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke i cilësuar si një sulm ndaj civilëve të paarmatosur në det të hapur. Ai paralajmëroi se ndalimi ose hipja në këto anije mund të konsiderohet ndalim i paligjshëm, madje edhe “rrëmbim në det të hapur”.
Organizatorët e flotiljes deklaruan gjithashtu se forcat izraelite kanë dëmtuar motorët dhe sistemet e navigimit të disa anijeve, duke lënë qindra civilë të bllokuar në det, pa energji dhe në kushte të rrezikshme, përballë një stuhie të afërt. Sipas tyre, komunikimet me disa prej mjeteve lundruese janë ndërprerë, duke pamundësuar koordinimin dhe kërkesat për ndihmë, përcjell A2CNN.
Izraeli ka konfirmuar më herët se ka interceptuar disa anije në ujëra ndërkombëtare, ndërsa organizatorët i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë urgjentisht për të garantuar sigurinë e civilëve dhe vazhdimin e korridorit humanitar drejt Gazës. (A2 Televizion)