
Sulmet izraelite në jug të Libanit janë intensifikuar, duke përfshirë bombardime artilerie dhe sulme ajrore ndaj disa qyteteve, ndër to Zawtar al-Sharqiya, Yahmar al-Shaqif, Bayt al-Sayyad, Haris, Beit Yahoun dhe Ghandouriyeh. Dronë izraelitë goditën gjithashtu Srifa dhe Toul, ndërsa një stacion uji në Batouliyeh u shënjestrua, duke lënë banorët pa një burim jetik furnizimi, përcjell A2CNN.
Sipas raportimeve, forcat izraelite kanë shkatërruar edhe një resort turistik në al-Bayyad. Ndërkohë, ushtria izraelite deklaroi se ka lëshuar një raketë interceptuese ndaj një objekti ajror “të dyshimtë” në jug të Libanit, i cili nuk hyri në territorin izraelit.
Nga ana tjetër, përplasjet janë shtrirë edhe në veri të Izraelit. Një dron i lëshuar nga Libani goditi zonën e Shomera-s, duke shkaktuar zjarr në një automjet, por pa viktima. Sirena alarmi u dëgjuan edhe në Zar’it, pranë kufirit.
Ndërkohë, përshkallëzimi i dhunës ka pasoja të rënda për civilët. Një sulm izraelit në Tayr Debba vrau një vajzë katërvjeçare dhe nënën e saj. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, rreth 2,500 persona kanë humbur jetën nga sulmet izraelite, përfshirë mbi 170 fëmijë. (A2 Televizion)