Izraeli intensifikon sulmet në Gaza. Evakuime masive, frikë për zgjerimin e ofensivës tokësore

Nga Rosalba Bejdo
30 Qershor 2025, 15:29 | Bota

Izraeli ka ndërmarrë një valë sulmesh ajrore rreth Rripit të Gazës, duke nxitur zhvendosje masive të qindra familjeve palestineze. Sipas dëshmitarëve dhe raportimeve lokale, ekipet e shpëtimit kishin rikuperuar trupat e 5 personave, ndërsa dhjetëra civilë të plagosur u dërguan në spitalin Al-Ahli në qytetin e Gazës, shkruan A2 CNN. Sulmet pasojnë një prej urdhrave më të mëdha të evakuimit të lëshuar që prej rinisjes së luftës në muajin mars. Zhvillimet vijnë mes presionit në rritje ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për t’u rifokusuar në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje.

Banorët e Gazës thonë se dhjetëra sulme ajrore izraelite shënjestruan lagjet e populluara në lindje të qytetit, dhe video që qarkulluan në rrjet treguan skena të kaosit dhe shpërthimeve që ndriçonin qiellin e natës. Një prej sulmeve goditi një shkollë në lagjen Zeitoun, ku ishin strehuar familje të shpërngulura.

“Na shikoni, nuk jemi vetëm numra dhe fotografi. Jemi qenie njerëzore. Zoti na krijoi që të jetojmë si ju, si gjithë të tjerët. Është e drejta jonë të jetojmë — dhe të jetojmë me dinjitet, jo kështu të poshtëruar”, thotë Amani Se’alha, grua palestineze, për Reuters.

Forcat izraelite të mbrojtjes urdhëruan më herët evakuimin e qytetarëve nga pjesë të mëdha në Gazën veriore, në prag të sulmeve të reja. Mes përkeqësimit të krizës humanitare, po shtohet frika se urdhrat e evakuimit dhe zgjerimi i sulmeve ajrore janë pjesë e një plani të gjerë izraelit për të përhapur ofensivën më thellë në Gaza. Por ka gjithashtu spekulime në mediat izraelite se disa gjeneralë janë pranë konkluzionit se operacionet në Gaza janë drejt finalizimit. Lëvizjet e ardhshme të Netanjahut janë nën vëzhgim të rreptë, teksa shtohet presioni në shtëpi dhe jashtë vendit për të punuar për një armëpushim të ri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos