Kolonët izraelitë kanë sulmuar forcat e sigurisë dhe kanë vandalizuar makinat e ushtrisë dhe instalimet e sigurisë jashtë dhe në një bazë ushtarake në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha ushtria izraelite më 30 qershor.
Sipas mediave izraelite, kolonët shënjestruan komandantin e bazës së Brigadës Rajonale Binjamin në Bregun Perëndimor, duke e quajtur “tradhtar”.
Ky komandant ishte në mesin e trupave që u sulmuan javën e kaluar, teksa ushtarët tentuan që të ndalonin kolonët të hynin në një zonë të mbyllur ushtarake afër fshatit palestinez, Kafr Malik, pasi kolonët kishin sulmuar dhe kishin vrarë të paktën tre palestinezë.
Gjatë përleshjeve u arrestuan gjashtë civilë.
“Dhjetëra civilë izraelitë u mblodhën në hyrje” të bazës së brigadës të dielën mbrëma, tha ushtria izraelite përmes një njoftimi.
“Ky tubim u bë i dhunshëm dhe disa civilë sulmuan forcat e sigurisë, hodhën sprej piperi drejt tyre dhe vandalizuan makinat ushtarake. Ushtria, policia dhe rojet bregdetare ndërhyn dhe shpërndan turmën”, u tha në njoftim, ku po ashtu u shtua se një qytetar izraelit u lëndua gjatë konfrontimit.
Ndërkaq, disa orë më vonë, përmes një njoftimi të dytë, ushtria tha se “civilët izraelitë ia vunë flakën dhe vandalizuan një objekt të sigurisë që përdorej për zmbrapsjen e sulmeve terroriste” pranë bazës.
Disa ministra të Qeverisë izraelite e kanë dënuar këtë incident.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “asnjë shtet ligjor nuk mund të tolerojë akte të tilla të dhunës dhe anarkisë sikurse është djegia e një ndërtese të ushtrisë”. Ai kërkoi hetim të menjëhershëm dhe ndjekje ligjore për të përfshirët.
Ministri i Mbrojtjess, Israel Katz, ka ftuar në takim të gjitha agjencitë e sigurisë për të diskutuar për incidentin. Duke i lavdëruar për dedikimin që nga nisja e luftës në Gazë në tetor të vitit 2023, ai tha se Qeveria “nuk do të lejojë asnjë grup të dhunshëm që t’i lëndojë ata”.
Ministri i Financave nga ekstremi i djathtë, Bezalel Smotrich, dënoi incidentin duke e cilësuar si “të papranueshëm”, por po ashtu lavdëroi vendbanimet në Bregun Perëndimor, që Izraeli e ka okupuar që nga viti 1967.
“Këto ngjarje janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, tha ai.
Disa organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut kanë denoncuar rritjen e dhunës nga ana e kolonëve në Bregun Perëndimor dhe po ashtu për mosndëshkimin e tyre.
Dhuna në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar që nga nisja e luftës në Gazë, e cila u nxit nga sulmi i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit më 7 tetor 2023./ REL (A2 Televizion)