Rusia ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të Izraelit kundër objekteve bërthamore në Iran, duke i cilësuar ato si "të paligjshme" dhe një rrezik serioz për sigurinë globale. Ministria e Jashtme ruse, në një deklaratë të publikuar të martën, kërkoi nga autoritetet izraelite që të ndalin menjëherë sulmet ndaj instalimeve bërthamore të Iranit, të cilat janë nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
“Sulmet intensive dhe të vazhdueshme nga ana e Izraelit mbi objektet paqësore bërthamore në Republikën Islamike të Iranit janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë. “Ato krijojnë rreziqe të papranueshme për sigurinë ndërkombëtare dhe e shtyjnë botën drejt një katastrofe bërthamore, pasojat e së cilës do të ndihen kudo, përfshirë edhe vetë Izraelin”.
Në të njëjtën deklaratë, Rusia akuzon vendet perëndimore - pa i përmendur konkretisht - se po e manipulojnë qëllimisht situatën për interesa të ngushta politike, shkruan A2 CNN. Rusia thekson gjithashtu angazhimin e Iranit ndaj Traktatit për Mosshpërndarjen e Armëve Bërthamore (NPT), si dhe gatishmërinë e tij për të rifilluar kontaktet diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Moska deklaron se “zgjidhja e vetme e mundshme për këtë krizë është përmes diplomacisë dhe negociatave”.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, duke shkaktuar shqetësim të thellë ndërkombëtar mbi rrezikun e një konflikti të gjerë rajonal dhe mbi të ardhmen e sigurisë bërthamore globale.
Nga ana tjetër, Rusia është e angazhuar në një luftë në Ukrainë, prej shkurtit të vitit 2022, të cilën vendet perëndimore e quajnë të paligjshme. (A2 Televizion)