
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje që Izraeli të rihapë pikat kufitare të Gazës, të cilat janë mbyllur që kur forcat izraelite nisën luftën kundër Iranit së bashku me Shtetet e Bashkuara.
“Është e domosdoshme që të gjitha pikat kufitare të rihapen … sa më shpejt të jetë e mundur,” tha të martën zëdhënësi i Guterres, Stephane Dujarric. “Ditët e fundit, partnerët tanë janë detyruar të racionalizojnë karburantin, duke i dhënë përparësi operacioneve që shpëtojnë jetë, megjithëse me kapacitet të reduktuar pasi rezervat tona lokale po pakësohen.”
Dujarric tha se në Gaza ka ende disa rezerva, por “kur dyert janë të mbyllura, ne detyrimisht zgjasim çfarë kemi për ta bërë të zgjasë më shumë”.
Pika kufitare e Rafah mes Gazës dhe Egjiptit, e vetmja dalje për palestinezët që nuk kalon përmes Izraelit, ishte rihapur më 2 shkurt për lëvizjen e personave, duke lejuar një numër të kufizuar njerëzish të largoheshin për herë të parë pas muajsh dhe disa të ktheheshin për t’u ribashkuar me familjet.
Mijëra palestinezë kanë nevojë urgjente për trajtim mjekësor jashtë Gazës, por ende nuk janë lejuar të largohen. Izraeli e mbylli sërish pikën të shtunën, kur nisi sulmet ndaj Iranit, duke përmendur “rregullime sigurie”. Kjo pikë konsiderohet jetike për dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e pacientëve në gjendje kritike.
Autoritetet izraelite njoftuan vonë të hënën se do të rihapin pikën kufitare Kerem Shalom Crossing (e njohur si Karem Abu Salem), për të lejuar “hyrjen graduale të ndihmës humanitare” në territor. Kjo pikë ndodhet në kufirin e Gazës me Izraelin dhe Egjiptin.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së, World Food Programme, shprehu optimizëm të martën. “Pikat kufitare do të hapen dhe kjo është në kohën e duhur për ne; duhet të fusim ndihmën sa më shpejt të mundemi”, tha Samer Abdel Jaber, drejtor rajonal për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Evropën Lindore.
Gaza është plotësisht e varur nga karburanti që transportohet me kamionë nga Izraeli dhe Egjipti, dhe mungesa e furnizimeve rrezikon më tej funksionimin e spitaleve dhe kërcënon shërbimet e ujit dhe kanalizimeve.
Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në tetor 2023, kufizimet kufitare izraelite kanë pakësuar rezervat e ilaçeve, materialeve për rindërtim, ushqimit dhe ujit brenda Rripit të Gazës, duke përkeqësuar kushtet tashmë të rënda pas viteve të bllokadës izraelite. (A2 Televizion)