Pas disa javësh qetësi, sirenat e alarmit u dëgjuan sërish në Izrael. Rebelët Huthi në Jemen lëshua disa raketa në drejtim të Tel Avivit dhe Jeruzalemit.
Ushtria e Izraelit ndërhyri me mbrojtjen ajrore dhe raporton se të gjitha kërcënimet e mundshme janë eliminuar. Grupimi Huthi, që mbështetet nga Irani dhe kontrollon shumicën e popullatës në Jemen, thotë se sulmet e tyre ishin një akt solidariteti me Palestinezët në Gaza.
Militantët kanë sulmuar gjithashtu edhe disa anije mallrash në Detin e Kuq, duke shkaktuar dhe fundosjen e tyre. Izraeli ka reaguar për sulmet e fundit duke kryer bombardime hakmarrëse në Jemen kundër grupit Huthi. Ushtria e Tel Avivit ka vazhduar dhe me aksionet luftuese në Rripin e Gazës. Nga bombardimet e fundit raportohen mbi 35 persona të vrarë në enklavën palestineze. Pjesa më e madhe e viktimave janë gra dhe fëmijë. Bombat kanë përfunduar në qendër të Rripit të Gazës dhe në një kamp refugjatësh në Bureij, shkruan A2 CNN.
Ushtria e Izraelit njofton se ka shkatërruar një tunel nëntokësor në Khan Yunis, të gjatë 500 metra dhe të thellë 13 metra. Pretendohet se në javën e fundit janë shkatërruar mbi 130 struktura të Hamasit, sipër dhe poshtë tokës. Si i përkeq bisedimeve për paqe, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ndan të njëjtën strategji për Gazën me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, por nuk është i gatshëm të arrijë një marrëveshje “me çdo kusht”.
“Unë dhe Presidenti Trump kemi një qëllim të përbashkët”, i cili është “të sigurojmë lirimin e pengjeve tona, t'i japim fund sundimit të Hamasit në Gaza dhe të sigurohemi që grupimi të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin”, i tha ai Kongresit, siç raportohet nga shtypi amerikan. Palët, raportohet se kanë bërë progres në bisedimet për armëpushimin 60 ditor, ndërsa në Tel Aviv flitet për një paqe që do të vijë brenda një jave. (A2 Televizion)