Izraeli rrethon plotësisht Gazën, Tel Avivi mban për vete paratë e palestinezëve

Nga Xhevahir Qardaku
3 Nëntor 2023, 09:37 | Bota

Ushtria izraelite ka rrethuar plotësisht qytetin e Gazës. Kështu njoftuan zyrtarët në Tel Aviv që folën për një “natë heroike beteje” me sulme të zhvilluara në vendqëndrime, selinë qendrore dhe infrastrukturën e Hamasit.

“Kemi vrarë militantë të Hamasit dhe një komandant të rëndësishëm. Ne do të vazhdojmë operacionin tonë deri në fitore”, shkruan ushtria izraelite në Telegram. Por forcat e shtetit hebre pranojnë se janë ndeshur me një breshëri të rëndë me armë zjarri dhe mjete të tjera luftuese nga ana e militantëve palestinezë në brendësi të Rripit të Gazës. 

Lidhur me këtë, Izraeli konfirmoi vdekjen e 4 ushtarëve të tij, duke e çuar në 23 numrin e të vrarëve mes ushtarëve të angazhuar për ofensivën tokësore. Qeveria e Benjamin Netanyahu-t njoftoi se palestinezët nga Gaza që punojnë në Izrael do të dërgohen për në enklavën e rrethuar.

Ministrat e kabinetit të sigurisë të Izraelit votuan për transferimin e fondeve tatimore të mbledhura për Autoritetin Palestinez në Ramallah, por zbritën paratë e destinuara për Rripin e Gazës. Kështu bëhet e ditur nga zyra e kryeministrit. Duke shtuar se “Izraeli po ndërpret çdo kontakt me Gazën”.

Bilanci i luftës është tepër tragjik dhe numërohen me mijëra sulme ajrore. Izraeli thotë se Hamasi ka vrarë më shumë se 1400 persona dhe rrëmbyer mbi 200 të tjerë që prej 7 tetorit. Ndërsa palestinezët njoftojnë se ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 9 mijë persona në Rripin e Gazës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos