
Rreth 150 banorë nga Kiryat Shmona, pranë kufirit verior të Izraelit me Libanin, kanë udhëtuar drejt Jeruzalemit për të protestuar kundër armëpushimit në Liban.
Armëpushimi 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit u njoftua nga Donald Trump dhe hyri në fuqi të premten. Ai synon të mbështesë një armëpushim më të gjerë midis SHBA-së dhe Iranit.
Banorët e veriut të Izraelit, komunitetet e të cilëve janë goditur nga sulmet me raketa të Hezbollahut, kanë reaguar me zemërim ndaj kësaj marrëveshjeje, duke theksuar se Hezbollah mbetet një kërcënim dhe nuk është çarmatosur.
“Është koha për ta larguar këtë kërcënim nga mbi kokat e banorëve të veriut,” tha kryetari i bashkisë së Kiryat Shmonës, Avichai Stern.
Një nga protestueset, Einat Dardari, u shpreh se është “shumë e zhgënjyer” që ushtria izraelite u detyrua të ndalë ofensivën kundër Hezbollahut.
“Ne duam siguri. Dua siguri në shtëpi. Dua siguri për fëmijët e mi,” tha ajo. (A2 Televizion)