
Bashkëpunëtorët kryesorë të Presidentit amerikan, Donald Trump po përpiqen të parandalojnë përshkallëzimin e konfliktit me Iranin para zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit, me qëllim që të frenojnë humbjet elektorale të Republikanëve – një strategji që tashmë po vihet në provë pas shkëmbimit të sulmeve të ndërsjella mes SHBA-së dhe Iranit gjatë natës.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë do të shqyrtojnë mundësinë e intensifikimit të veprimeve ushtarake pas votimit të 3 nëntorit, thanë burimet pwr Reutrers, ndonëse një rikthim në konflikt të përmasave të plota mbetet ende i pasigurt. Ushtria amerikane deklaroi se goditjet e fundit ishin hakmarrje për sulmet e kohëve të fundit ndaj forcave amerikane dhe trafikut detar në rajon.
Për momentin, sipas burimeve, administrata synon të mbështetet te ushtrimi i presionit më të madh ekonomik ndaj Iranit, në përpjekje për të siguruar lëshime në negociatat e ardhshme – lëshime që nuk u arritën dot gjatë muajve të veprimeve ushtarake.
"Ne po vazhdojmë të ushtrojmë presion ndaj Iranit," tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. "Por nëntori është prioritet."
Mbajtja e konfliktit në nivele të kontrolluara deri në atë kohë do të ndihmonte që ky konflikt jopopullor të mos dominonte lajmet, ndërsa Republikanët e Trumpit bëjnë fushatë për të mbrojtur shumicat e tyre të ngushta në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, thanë burimet, tre prej të cilëve janë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
Vetëm 31% e amerikanëve e mbështesin luftën, ndërsa rreth 63% janë kundër saj, sipas një sondazhi të fund-gushtit nga Reuters/Ipsos; gjithashtu, votuesit janë veçanërisht të pakënaqur me çmimet e larta të karburantit. Një pauzë taktike mund t'i jepte gjithashtu ushtrisë amerikane mundësinë për të rimbushur rezervat e saj të municioneve, të cilat janë shteruar ndjeshëm, thanë burimet.
(A2 Televizion)