Izraeli po përballet me një situatë emergjente për shkak të zjarreve të mëdha që kanë përfshirë disa pjesë të vendit, veçanërisht afër Jeruzalemit.
Sipas autoriteteve, 155 ekipe zjarrfikësish janë angazhuar në terren, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë që ndihmojnë në fikjen e flakëve. Zjarret janë ende jashtë kontrollit, edhe pse operacionet po vazhdojnë pa ndërprerje.
Zjarret kanë shkaktuar evakuimin e të paktën tre komuniteteve dhe mbylljen e autostradës kryesore mes Jeruzalemit dhe Tel Avivit. Deri tani, 17 zjarrfikës janë lënduar, ndërsa dy prej tyre janë shtruar në spital. Disa civilë janë trajtuar për probleme me frymëmarrjen për shkak të tymit.
Autoritetet izraelite po hetojnë mundësinë që zjarret të jenë vënë qëllimisht, pasi raportohet se Hamasi ka bërë thirrje drejtuar të rinjve arabë për të "djegur gjithçka që munden" në kuadër të një "rezistence popullore". Kjo ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë dhe ka shtyrë qeverinë të shpallë gjendje emergjente kombëtare.
Përballë përmasave të situatës, Izraeli ka kërkuar ndihmë nga vende të tjera. Italia, Kroacia, Greqia, Qiproja dhe Bullgaria kanë ofruar mbështetje me avionë zjarrfikës.
Zjarret kanë ndodhur pikërisht gjatë Ditës së Përkujtimit për ushtarët e rënë të Izraelit, duke detyruar anulimin e disa prej ceremonive përkujtimore, përfshirë dhe ato zyrtare në Jeruzalem. (A2 Televizion)