Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe ishte e ftuar në Debat me Alba Alishanin ku foli në lidhje me situatën e krijuar në vend pas shkëmbimit të sulmeve raketore me Iranin.
Diplomatja shqiptare tregon se jeta në qytetet izraelite ka ngrirë, ndërsa të gjithë zbatojnë me përpikmëri urdhrat e ushtrisë për t’u futur në vendstrehime.
“Në fakt që në momentin që nisi, e gjitha ambasada jemi në dispozicion. Kanë qenë netë të vështira. Vetëm kur i dëgjon bombardimet janë të vështira dhe jo kur i përjeton. Po zbatojmë në mënyrë strikte të gjithë rregullat. Është e vështirë për ne, por edhe për turistët apo njerëzit që u gjendën në Izrael për punë, ishin të papërgatitur. Jeta në qytet është ndaluar për shkak të udhëzimeve të sigurisë, shkollat, zyrat janë mbyllur. Të gjithë po punojnë nga zyrat e sigurta.
Marketet dhe farmacitë janë të hapura. Jeta është e ngrirë, nuk ka trafik, nuk ka njerëz duke ecur. Dëmtime ka pasur në Tel Aviv dhe qytete pranë. Ka pasur dhe të vrarë. Nëse do të ketë sulme, do të vijë një SMS në telefon, që Izraeli po sulmohet. Pallatet 20 vjeçare e këtej i kanë dhomat e sigurisë brenda, teksa të vjetrit i kanë poshtë. Ka dhe struktura mbrojtëse publike, për njerëzit që gjenden jashtë. Nuk futemi në këto dhoma pa na thënë me SMS apo nga alarmi që dëgjohet. 24-orëshi i fundit ka qenë më i qetë, kemi pasur 3 alarme në mëngjes”, shprehet ambasadorja.
Kumbe shprehet se aktualisht në Izrael kanë mbetur të bllokuar 5 shqiptarë që ishin aty për punë apo turizëm, teksa ata që jetojnë aty nuk kanë kërkuar që të evakuohen.
“Edhe ne si trup diplomati zbatojmë rregullat e përgjithshme. Jemi të detyruar t’i zbatojmë ato. Ne jemi në kontakt me të gjithë qytetarët shqiptarë dhe po punojmë për t’i kthyer. Kemi një tjetër komunitet shqiptarësh që jetojnë në Izrael dhe që nuk kanë kërkuar të largohen. Aeroporti është i mbyllur, po ashtu dhe rruga detare. Qytetarët që u gjenden rastësisht na thonë aman na ktheni në shtëpi, për ne kryesore është që t’i mbajmë të sigurt. 5 qytetarë kanë kërkuar ndihmë. Numri është i vogël”, deklaroi Kumbe në A2 CNN. (A2 Televizion)