Jetëgjatësia në mbarë botën është rritur duke u rikthyer në nivelin e periudhës para pandemisë së koronavirusit. Gratë jetojnë mesatarisht deri në 76,3 vjet ndërsa burrat 71,5, sikurse mësohet nga një seri studimesh botuar në revistën presitjgoze për mjekësinë "The Lancet".
"Rritja e ndjeshme e popullsisë në plakje dhe faktorët e rrezikut në ndryshim kanë hapur një epokë të re të sfidave globale për shëndetin", deklaroi Christopher Murray nga Universiteti i Uashingtonit në Seattle. Ekipi i studiuesve ka vlerësuar gjithsej mbi 300.000 burime të dhënash. Mbi bazën e të dhënave për vitin 2023 u ndërmorrën vlerësime për 204 shtete dhe territore.
Që nga viti 1950 jetëgjatësia për gratë dhe burrat, sipas këtyre hulumtimeve, është rritur më shumë se 20 vjet. Deri në vitin 2050, sipas një parashikimi, jetëgjatësia do të rritet edhe me gati pesë vjet jetë më shumë, pra tendenca pozitive do të vazhdojë.
Të kamurit jetojnë më gjatë se të varfërit
Jetëgjatësia është megjithatë e ndryshme në rajone të ndryshme – dallimet (në raport me të dyja gjinitë) janë rreth 83 vjeç në vendet me paga të larta mesatare dhe 62 vjeç në vendet afrikane në jug të Saharasë. Në Gjermani jetëgjatësia për gratë është 83,5 vjeç, ndërsa për burrat 78,9 vjeç(bazuar në të dhënat nga viti 2024).
Ndërkohë që kuotat e vdekshmërisë në përgjithësi janë në rënie, tek të rinjtë në veri dhe në jug të Amerikës ka rritje të vdekjeve kryesisht për shkak të suicidit dhe konsumit të drogës e alkohoolit. Parë në nivel global shkaqet më të shpeshta për vdekje – ashtu si edhe para pandemisë Corona – janë çrregullimet në sistemin kardiovaskular, hemoragjitë cerebrale dhe sëmundjet kronike të mushkërive COPD.
Faktorët e rrezikut
Studiuesit kanë marrë në analizë jo vetëm rastet e vdekjeve, por edhe vitet, që njerëzit jetojnë me kufizime të aftësive fizike apo shëndetësore. Bashkë me vitet e humbura nga vdekjet e parakohshme rezultojnë këto të ashtuquajtura DALYs (Disability-Adjusted Life Years). Ndërmjet viteve 1990 dhe 2023 është ulur ndjeshëm barra nga sëmundjet dhe dëmtimet fizike, matur sipas DALY-së për banor, me rreth 36 përqind.
Përveç kësaj ekipit i Murray hulumtoi 88 faktorë, që mund të influencojnë ndaj sëmundjeve, sepse gati gjysma e DALY-së kishin lidhje me të tillë faktorë. Faktorët e rrezikut me kuotën më të lartë DALY sipas kësaj më 2023 ishin: tensioni i lartë i gjakut, ndotja e ajrit me grimcat e imëta, duhani, vlera e lartë e sheqerit në gjak, lindjet nënpeshë, mbipesha (një shifër e lartë e body-mass-index (BMI)) dhe niveli i lartë i kolesterolit LDL. DW (A2 Televizion)