Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, ka konfirmuar për herë të parë se është larguar nga vendi për arsye sigurie, por ka theksuar se nuk ka dhënë dorëheqjen nga posti. Në një fjalim televiziv të drejtpërdrejtë të transmetuar të hënën në mbrëmje nga një vendndodhje e paidentifikuar, ai tha:
“U detyrova të gjej një vend të sigurt për të mbrojtur jetën time.”
Deklarata erdhi pas disa orëve vonesë, për shkak të përpjekjeve të forcave ushtarake për të marrë kontrollin e televizionit publik. Rajoelina akuzoi një njësi elitare të ushtrisë për përpjekje për grusht shteti.
Tensionet në vend janë rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit, me protesta masive të udhëhequra kryesisht nga të rinjtë e lëvizjes “Gjenerata Z”, të cilët kërkojnë dorëheqjen e presidentit dhe disa ministrave. Situata u përshkallëzua të shtunën, kur një pjesë e ushtrisë u bashkua hapur me protestuesit.
Presidenti bëri thirrje për dialog kombëtar për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore dhe kërkoi që të respektohet Kushtetuta e vendit. Ai nuk dha detaje se ku ndodhet aktualisht, por burime lokale sugjerojnë se mund të jetë evakuuar me një aeroplan ushtarak francez.
Ndërkohë, e ardhmja politike e Madagaskarit mbetet e paqartë, teksa vendi përballet me një situatë të pashembullt ku një pjesë e forcave të sigurisë sfidojnë autoritetin presidencial. (A2 Televizion)